Afrohen reshjet e dendura të borës në Kosovë!

Pas kalimit të ciklonit të mbrëmshëm në rajonin tonë temperaturat kanë pësuar ulje por jo të mëdha. Reshjet për momentin kanë pushuar, por ende ka reshje lokale shiu e bore. Erërat përkohësisht po fryjnë nga veriperëndimi, ndërsa shumë shpejt do të rifillojnë nga jugperëndimi dhe në fund për tu kthyer nga veriu dhe verilindja.

Pas një pauze të reshjeve pasdite dhe në mbrëmje do të rifillojnë reshjet atmosferike në Kosovë: diku shi e diku bore. Priten reshje intensive shiu e bore varësisht nga lartësia mbidetare dhe temperaturat. Në ultësirat e Dukagjinit kryesisht shiu (jo në të gjitha) por edhe atje gjatë ditës së nesërme priten reshje bore. Në disa vise në veri, verilindje, lokalisht edhe në qendër priten edhe reshje të dendura bore. Për viset kodrinore-malore as mos të flasim, priten reshje intensive bore dhe bardhësi e pafund. Bardhësi e pafund do të jetë edhe në shumicën e ultësirave të Republikës së Kosovës. Normalisht nuk duhet pritur borë të madhe në tërë territorin.

Pra, fillimisht në disa rajone e në mëngjesin e nesërm (E Martë) ose gjatë ditës së nesërme në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të ketë reshje bore. Vende-vende priten reshje intensive bore dhe jashtëzakonisht të bukura për syrin e entuziastëve të borës.

Reshje vende-vende të dendura bore priten edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore. Në Maqedoni reshjet e borës mund të “vonohen” deri nesër. Reshjet e borës do të depërtojnë edhe në qendër të Shqipërisë duke përparuar në drejtim të perëndimit. Në perëndim dhe bregdet kryesisht shi, por nuk do të isha befasuar shumë nëse fjolla dëbore do të ketë edhe në kryeqendrën shqiptare Tiranën duke përfshirë edhe disa rajone bregdetare të Shqipërisë./Meteoballkan

Reklama