Abdixhiku: LDK-ja do ta kujtojë 17 tetorin me krenari, 14 shkurtin si mësim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si rikthim të LDK-së rezultatin e 17 tetorit në zgjedhjet lokale në vend.

Kjo parti ka fituar pa balotazh në Pejë e Lipjan, ndërsa në nëntë komuna tjera do të garojë në nëntor në balotazh, përfshirë kryeqytetin.

Këtë rezultat Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do ta kujtojë me krenari, ndërsa humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka thënë se do ta kujtojë si mësim.

“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë. Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Reklama