AAK me deklaratë publike: Nuk e pengojmë konstituimin e institucioneve

AAK-ja ka reaguar pasi Rada Trajkoviq ka thënë se sipas informacioneve që ka marrë në terren, AAK e Haradinajt dhe Lista Serbe kanë bashkëpunuar për të zgjedhur deputetë që më pas do t’iu bëhet presion për ta zgjedhur presidentin. Këtë e quan ajo kurdisje të votave.

Në një postim të AAK-së në Facebook thuhet se nuk është e vërtet ajo se çka ka deklaruar Trajkoviq.

Madje AAK-ja ka theksuar se kjo parti nuk do të mbajë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Postimi i plotë i AAK në Facebook:

Aleanca nuk do të mbajë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Deklaratat e znj. Trajkoviq se gjoja AAK paska ndikuar në zgjedhjen e deputetëve minoritarë me qëllim të “kurdisjes” së zgjedhjes së Presidentit, janë gënjeshtër e kulluar, por edhe cinike e qesharake.

Nuk është hera e parë që zonja në fjalë dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes me deklarata pompoze, por kjo është shumë e tepërt. Problemet që komuniteti i saj i ka brenda llojit, nuk duhet t’i adresojë dhe të hedh fajësinë tek të tjerët, e më së paku te një organizatë e dëshmuar për transparencë e konsistencë në tërë historinë e saj politike.

Që nga nominimi i kryetarit Ramush Haradinaj si kandidat për President të Republikës, secili veprim i AAK-së në realizimin e këtij qëllimi, që ne e konsiderojmë të nevojshëm për Kosovën, ekuilibrin e pushtetit dhe ruajtjen e demokracisë, ka qenë plotësisht transparent dhe i njohur për qytetarët!

Reklama