AAK mban mbledhje të jashtëzakonshme: Qeveria po dorëzohet përballë Serbisë

Ish kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kryesia e partisë së tij sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar zhvillimet politike në vend.

Ai ka thënë se janë mbledhur në kohën kur, sipas tij, Qeveria po dorëzohet përballë Serbisë.

“Kryesia e AAK-së sot ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar zhvillimet politike në vend, kjo në dritën e paralajmërimeve të dorëzimit të Qeverisë përballë Serbisë në temat e interesit nacional!”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, Haradinaj ka zbuluar edhe sloganin e partisë në, siç i quan ai, “përgjegjësitë e saj politike”.

“Përfundimi i gjithë debatit në këtë mbledhje, ishte një fjali e vetme; “Aleanca qëndron dhe kur krejt të tjerët dorëzohen”, që do të jetë edhe slogani i AAK-së në përgjegjësitë e saj politike!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, Haradinaj kritikoi ashpër Albin Kurtin pasi shfuqizoi vendimin për pagat, të cilin e kishte marrë Haradinaj sapo erdhi në pushtet. Këtë ai e quajti mashtrim dhe populizëm. Haradinaj, po ashtu, ka paralajmëruar me masa Qeverinë në rast se largohet taksa.