A po kthehet monizmi në Shqipëri 30 vjet pas rënies

Editorial i RahoPress

Në vitin 1985 vdiq Enver Hoxha, duke i hapur Shqipërisë rrugën e vetme që të çlirohej nga monizmi dhe diktatura e egër. Ndërkaq, në vitin 1991 u rrëzua shtatorja e tij gjigande në Tiranë, që u bë simbol i një epoke të re në shtetin shqiptar.

Megjithë problemet që pasuan pas rraskapitjes nga diktatura, në Shqipëri shkrepën shkëndijat e demokracisë, përkundër se politika ishte e kriminalizuar dhe e korruptuar në vazhdimësi. Por, pati zgjedhje, pati ndërrim pushtetesh, pati garë e konfrontim elektoral.

Por, kjo situatë po ndryshon – dhe për befasinë tonë të madhe po bëhet edhe më e rëndë kur të gjithë mendonin se s’kishte si të bëhej me keq. Krejt kjo, tash kur janë bërë më shumë se tri dekada që prej rënies së diktaturës. Flasim pra për zgjedhjet e djeshme bashkiake në Shqipëri, një proces zgjedhor që u braktisë nga opozita dhe ku pjesëmarrja ishte nën 20 për qind, duke e bërë jolegjitim procesin, pa numëruar ende skandalet tjera që karakterizuan ditën e djeshme.

Kjo dalje kaq e ulët dëshmon edhe përkrahjen e ulët që ka Partia Socialiste, përkundër se mburret si parti që ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Megjithatë lavdia nuk zgjati shumë dhe krimi i PS-së në blerjen e votave në vitin 2017, u dëshmua pas publikimit të artikuvje e videomaterialeve të gazetës gjermane “Bild”.

“Shqipëria ka mbajtur një proces zgjedhor të pazakontë që prej daljes nga diktatura 50-vjeçare”, ka shkruar një prej mediave më të besueshme në botë, BBC.

Kryeministri shqiptar Edi Rama në vazhdimësi është duke e përforcuar pushtetin e tij individual dhe kështu duke përjashtuar e përndjekur kundërshtarët politikë. Sistemi i tij është duke u bërë i pandikueshëm edhe nga ndërkombëtarët, që në shtete të vogla si Shqipëria të huajt shpesh janë vendimtarë edhe kur vendoset për çështjet e mëdha, ta zëmë për sistemin politik të shtetit dhe pozicionin në politikat ndërkombëtare.

Zgjedhjet e djeshme dëshmuan se në pushtetin e Edi Ramës, demokracia është fjalë e vdekur. Ai shpalli fitoren, përkundër se në këto zgjedhje mori pjesë vetëm partia e tij. Megjithëkëtë, edhe pse e vetme, PS-ja, prapë pati manipulime; dolën lajme se kandidatë të saj morën vota më shumë se që ishin hedhur në kutitë e votimit.

Arroganca e tanishme e Edi Ramës shumë lehtë mund të shndërrohet në diktaturë, poqëse nuk frenohet nga shoqëria shqiptare dhe nga shtetet e fuqishme të botës përmes ambasadave të tyre në Tiranë. Përkundër vlimit të skandaleve të njëpasnjëshme, Rama është më i vendosur se kurrë që të kap shtetin shqiptar, hapurazi dhe duke ofenduar qytetarët, filluar prej veshjes së tij, trajtimit ofendues të gazetarëve, si dhe skandaleve të publikuara nga prestigjiozja gjermane “Bild” lidhur me vjedhjen dhe blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Shqipëri.

Veç kësaj, Edi Rama është bërë edhe rrezik kombëtar për shqiptarët gjatë kësaj kohe në pushtet. Ai ka përkrahur idenë e rrezikshme të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës, në bashkëpunim me presidentin Vuçiq e zyrtarë rusë, që fatmirësisht u ndal nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me aleatët perëndimorë. Në aspektin kombëtar, Edi Rama është edhe më keq se diktatori Enver Hoxha, i cili megjithatë nuk kishte shkelur asnjëherë në këto kufij.

Shqipëria është katandisur në gjendjen më të rëndë që prej rënies së diktaturës së egër të Enver Hoxhës. Është e kuptueshme që me ndikimin e SHBA-së dhe BE-së, është e vështirë që ta çojë Shqipërinë atje ku synon ai, mirëpo dëmet mund të bëhen dhe Shqipërisë do t’i duhen vite për rikuperim, kur ende nuk janë fashitur plagët enveriste.

Reklama