A është PSD Vetëvendosja e re?

Editorial nga RahoPress

Meqë Vetëvendosje erdhi ne pushtet, ka një bindje që në opozitë është e nevojshme të jetë një Vetëvendosje e re, që kundërshton e artikulon pakënaqësitë. Jo si kopje vizuale në aksione, qëndrime politike e as në qëndrimin e saj ideologjik domosdoshmërisht, por si vullnet politik, kapacitet teorik & logjistik dhe konsistencë në ndërtimin e strategjisë dhe kauzave opozitare.

Sot Kurti posedon një pushtet shumë të madh dhe nevoja për ta balancuar me një opozitë të vërtetë është e nevojshme. Sinjalet opozitare, rreth 40 ditë pas formimit të qeverisë së re janë të pakta, dhe të gjitha vijnë nga PSD-ja joparlametnare.

Shumëkush PSD-në e sheh si Vetëvendosjen e re, por jo shumica. Aksionet e saj duken veprime nën panik dhe të ngutshme. Kjo sepse nuk duhet t’i paraprijë aksioni kritikës, por kritika aksionit. Pa zbërthim teorik të kritikës, aksioni mbetet thjesht spektakël karnevalesk. Harrohet sepse është pa përmbajtje, sikurse që nuk fitohet as beteja në argumentim, ndonëse mund të jetë duke u bërë një kundërshtim i drejtë.

Duke e menduar kundërshtimin vetëm në funksion të rritjes së partisë, nuk rritet as partia. Miratimin e aksioneve opozitare duhet pritur nga qytetarët dhe jo nga ata që orbitojnë rreth grupeve të ngushta të interesit, që zakonisht i shohim të reprizuar për çdo natë në studiot televizive.

Vullneti i PSD-së për të krijuar momente opozitare, ndonëse si parti jashtëparlamentare dhe pa kapacitetet e partive të mëdha, është për t’u vlerësuar, por ende i mungon diçka shumë e rëndësishme, që ndjehet nga qytetarët: origjinaliteti. Ose ende ka skepticizma të thellë se “a e ka përnime”.

Akuzat nuk mund të hidhen bazuar në aftësitë parashikuese, sado hyjnore të jenë ato. Mund të debatohet, por jo të sillemi sikur gabimi tashmë ka ndodhur, kur në fakt nuk ka ndodhur. Nuk mund të realizohet protesta sepse parashikohet që qeveria do të gabojë. Fatkeqësisht, duhet pritur që ajo të gabojë.

Megjithatë, PSD-ja ndryshe për partive të tjera opozitare që kanë prani në parlament e posedojnë financa e kapacitete të bollshme njerëzore, ka një talent dhe energji për t’i artikuluar pakënaqësitë e qytetarëve në të ardhmen, me përmirësimet e nevojshme që duhet t’i bëj.

Së pari më shumë se për fatin e saj partiak dhe inatet shumë personale me Kurtin, të mendojë për çështjet që janë vërtet të interesit publik. Atëherë qytetarët do t’i bashkohen.

P.S – Editoriali u shkrua nën supozimin që PSD aktivitetin e saj politik e planifikon në funksion të së mirë së përgjithshme, përndryshe do të ishte i pabazë.

Reklama