A është ky sinjal se u arrit paqja ndërmjet AAK’së e LDK’së?

Pas një vargu tensionesh brenda koalicionit, zëvendëskryeministri nga radhët e AAK’së, Besnik Tahiri, përmes disa fotografive të përbashkëta me kryeministrin Hoti, ka lënë të kuptohet se megjithatë punët po u ecin mirë.

Që nga takimi i nivelit të lartë në Bruksel, raportet në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë acaruar.

Haradinaj kishte kritikuar kryetarin e Qeverisë për temat që kishte diskutuar në Bruksel, derisa kishte paralajmëruar largim nga koalicioni nëse Avdullah Hoti do të vazhdonte negociatat dhe do të rrëshqiste në nivel teknik.

Sikur të mos mjaftonte procesi i dialogut, partia e Haradinajt dhe e Isa Mustafës nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët as sa i përket karriges së presidentit.

Mustafa insiston se një temë e tillë nuk është në agjendë të diskutimeve dhe se mund të bisedohet për diçka të tillë më herët, vetëm nëse ka ndonjë konfirmim aktakuze nga Gjykata Speciale për presidentin Thaçi.

Derisa Haradinaj thotë se një temë e tillë duhet diskutuar, meqë AAK nuk dëshiron që të jetë në koalicion dhe të mos ketë vendimmarrje.

Gjithë këto përplasje kanë nxitur edhe një reagim të kreut të LDK’së, Isa Mustafa, i cili s’ka përjashtuar ndryshimet në koalicionin qeverisës.

“LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, ka shkruar Mustafa të hënën.

Megjithatë zëvëndëskryeminsitri nga radhët e AAK’së, Besnik Tahiri, sot ka publikuar disa fotografi bashkë me kryeministrin Hoti, ku thotë të kenë pasur diskutime thelbësore për sfidat që e presin qeverinë.

“Në vazhdën e bashkërendimit të agjendës qeveritare, sot bashkë me kryeministrin z. Avdullah Hoti patëm takim pune dhe diskutim përmbajtësor për temat me rëndësi prioritare shtetërore”, ka shkruar Tahiri.

Reklama