60-70 për qind e pemëve janë dëmtuar nga breshri i së hënës

Rreth 60-70 për qind e pemëve janë dëmtuar nga breshëri i së hënës në Kosovë, ka thënë Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve.

Në emisionin SOT në KTV, të martën, Tahiri tha se pema më e dëmtuar nga ky breshër është molla.

“Dëmet janë të konsiderueshme sepse kokrra e breshrit i ka goditur frutat e pemëve, mollëve. Ku ka goditur kokrra e breshrit, ajo frutë brenda një kohe të shkurtër kalbet. Rreth 60% deri 70% e frutave janë të dëmtuara nga breshëri, dhe ndërkohë ato kalben dhe është një dëm i madh. Frutat që janë prekur nuk mund të shfrytëzohen, ato kalben vetvetiu”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar vazhdimisht që të rikthehet mbrojtja raketore kundër breshrit, pasi në këtë mënyrë do të parandalohej ky fenonem.

“Ne si sindikatë kemi kërkuar që të merren masa, të rikthehen mbrojtjet raketore kundër breshrit, edhe pse kemi problem me KFOR-in pasi ata nuk lejojnë. Ato retë që parashihet se do të krijojnë breshër, bombardohen me raketa dhe shpërndahen”, është shprehur Tahiri.

Ndërkohë, ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë për vonesa në subvencione. Sipas tij, paratë nuk po jepen gjatë kohës së vegjetacionit të kulturave bujqësore, por më vonë.

Sipas tij, kjo po ndodh në 3-4 vitet e fundit duke shtuar se ky është keqpërdorim i parave të ndara nga qeveria.