37.7% e kosovarëve mbi moshën 18-vjeçare janë konsumues të duhanit

Arben Lila nga KADC që nga viti 2009 ka avokuar që në Kosovë të ulet konsumimi i duhanit.

Ai më shumë se dhjetë vjet ka punuar me pasion që ta ngrejë vetëdijen sidomos te gjeneratat e reja që të heqin dorë nga duhanprija.

Lila, para 30 vjetëve e kishte konsumuar për pak kohë duhanin dhe ai rrëfen përvojën e tij se çka e shtyri të heqë dorë, raporton KOHA.

Lila bashkë me organizatën e tij “Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim” që nga viti 2009 kanë punuar për ligjin për duhanin dhe zbatimin e tij.

Ligji u aprovua në vitin 2013, e sipas Lilës vetëm dy vjetët e parë ai u zbatua.

Sipas një hulumtimi të fundit të organizatës, të publikuar në qershor të këtij viti, 37.7 % e kosovarëve mbi moshën 18-vjeçare janë konsumues të duhanit.

40.7% kurrë nuk ka pirë duhan, derisa 10.1% prej tyre janë ish-duhanpirës që e kanë lënë duhanin.

Por tani në kohën e pandemisë COVID-19, Lila thotë se duhanpirësit duhet të reflektojnë dhe të heqin dorë nga duhani.

Derisa përvoja e Inspektoratit me ballafaqimin e zbatimit të masave anti-COVID, Lila thotë se mund të përdoret edhe për kontrollin e Ligjit të duhanit.

Teksa ka treguar se Qeveria duhet të ketë politika që t’ju ndihmojë duhanpirësve të heqin dorë nga konsumimi i duhanit.

Sipas hulumtimit të organizatës që udhëheq Arben Lila, në bare, kafene dhe restorante 81.4% e kosovarëve i ekspozohet rregullisht tymit të duhanit, ndërsa 84.7% e popullatës janë shprehur në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në bare.

Derisa 94.5% e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e ndalimit të pirjes së duhanit në vende publike, e vetëm 4.2% e tyre mendon që autoritetet përgjegjëse kanë bërë punë të mirë për zbatimin e ndalimit të pirjes së duhanit në vendet publike.

Reklama