3 orë trazira në PD – Çfarë ndodhi sot në Shqipëri?

Dhunë, kaos, gaz lotsjellës dhe të plagosur. Kjo ka qenë situata e krijuar nga protesta e thirrur nga ish lideri historik Sali Berisha në selinë e partisë demokratike, ku kërkoi largimin e Lulzim Bashës.

Qindra protestues të mbledhur në godinën e PD-së kanë shkelmuar dyert dhe dritaret dhe në orën 11 e 30 minuta një grup prej tyre arritën të hyjnë në katin e parë të selisë.

Shumë të tjerë kanë përdorur edhe mjete të forta për të hyrë në katin e dytë të goditës aty ku kryetari i PD, Basha po zhvillonte mbledhjen e thirrur me krerët e degëve.

Ky ka qenë edhe momenti që ka shënuar përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe mbështetësve të Bashës, pasi individë nga brenda selisë kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë goditur me shkopinj disa prej tyre që tentuan të hipnin me shkallë në godinë.

Situata është përshkallëzuar ku nuk munguan edhe të plagosur nga kjo protestë edhe pse ish lideri Sali Berisha bëri thirrje për vetëpërmbajte dhe durim nga oborri i selisë.

Përpjekja e protestuesve për të hyrë brenda zgjati shumë minuta. Disa prej tyre sollën edhe shkallë të tjera duke u përpjekur për t’u ngjitur në katin e dytë. Ata thyen edhe disa dritare, por nuk mundën të hyjnë dot.

Paralelisht me këtë përpjekje, në ambientet e brendshme protestuesit përdorën një mjet te posaçëm për shembjen e derës. Por ata arritën vetëm të hapnin një pjesë të saj.

Ky ishte dhe moment kur drejtuesit e partisë demokratike kërkuan ndërhyrjen menjëhershme të policisë së shtetit me argumentin se po u rrezikohej jeta.

Policia iu përgjigj pozitivisht apelit dhe në vetëm pak minuta , forcat speciale të RENEAS dhe ndërhyrjes së shpejtë, që ishin pranë selisë së parlamentit, u zhvendosën drejt ambientet e jashtme të PD.

Ata hodhën gaz lotsjellës, ujë me presion dhe qëlluan me plumba gome në drejtim të protestuesve duke marrë në mbrojte godinën e PD .

Si pasojë e gazit lotsjellës ndaj turmës ish-kryeministri ka shfaqur probleme me frymëmarrjne ndërsa së bashku me mbështetësit e tij u larguan.

Pjesa tjetër e protestuesve u zhvendos në unazë, ndërsa Berisha ishte i fundit që u largua duke iu bashkuar atyre.

Por ky nuk ishte moment i fundit i protestës. Berisha dhe mbështetësit marshuan drejt bulevardit qendror si dhe para kryeministrisë, aty ku Berisha tha protesta e kësaj të shtune është vetëm fillimi.

Më pas Berisha dhe protestuesit e tjerë tentuan sërish të kthehen në ambientet e jashtme të PD, por nuk janë lejuar nga polica.

Forcat speciale kishin bllokuar të gjitha hyrjet kryesorë, duke vazhduar të mbajnë nën kontrollë selinë blu.

Reklama