28 biznese të vogla në Rahovec përfituan mbi 93 mijë euro

28 qytetarë të Komunës së Rahovecit, sot përfituan nga projekti “Fuqizimi socio-ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, të bashkëfinancuar nga Organizata Gjermane “Help” me 50%, Komuna e Rahovecit me 30% dhe përfituesit e grantit me 20% të shumës.

Kryetari i Komunës, Smajl Latifi ka thënë se 93,031.43€ është shuma e përgjithshme e grantit të shpërndarë, nga të cilat 15,000€ janë siguruar nga Komuna e Rahovecit.

“Përmes projektit, synohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe stabiliteti ekonomik në Kosovë, duke siguruar blerjen e pajisjeve, makinerive, inventarit dhe të tjera, varësisht nga kërkesat e përfituesve, që janë kryesisht biznese të vogla. Në këtë pako të gjerë mbështetëse, përfshihen edhe trajnime në mikro-menaxhim biznesi”, ka shkruar Kryetari i Rahovecit.

Tutje, kryetari Latifi e ka falënderuar Organizatën “Help”, e cila, ka thënë ai, realizon këtë projekt me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Gjermanisë.

“Padyshim, se një projekt i tillë nxit punësimin dhe zhvillimin ekonomik në komunën tonë, prandaj do të jem gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim në realizimin e projekteve të ngjashme”, ka shkruar Latifi.