26 centë kilogrami, vreshtarët: Çmimi i rrushit nuk mbulon as shpenzimet

Çmimi prej 26 centësh për kilogram rrushi nga vreshtarët e Rahovecit po konsiderohet si tejet i ulët dhe që nuk mbulon as koston e shpenzimeve që kanë pasur gjatë punës në vreshta.

Rahovecianët që merren kryesisht me kultivimin e rrushit të tryezës dhe rrushit të verërave, po kërkojnë nga kompanitë që merren me përpunimin e rrushit që çmimi për kilogram të rritet, si mënyrë e vetme që të vazhdojnë të merren me këtë veprimtari bujqësore.

Kompanitë që e marrin rrushin për prodhimin e verës thonë se përkundër pandemisë nuk kanë zvogëluar çmimin për kilogram rrushi, ndërkohë që nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural thonë se s’mund të bëjnë asgjë për t’u ndihmuar vreshtarëve.

Sylejman Daka posedon një hektar vreshta, prej të cilave 70 ari me rrush të verërave dhe 30 ari rrush të tryezës, i cili thotë se çmimi prej 26 centë nuk ia mbulon as shpenzimet që ka bërë.

Ai thekson se këtë vit rrushi është i një cilësie shumë të mirë dhe një cilësi e tillë, sipas tij, prodhon edhe një verë të mirë. Daka thotë se kjo duhet të vlerësohet nga kompanitë që e marrin rrushin për prodhimin e verës.

“Çmimi prej 26 centësh që është paguar vitet e kaluara, vjet dhe parvjet, është çmim i ulët në krahasim me koston e cila nevojitet për kultivimin e rrushit, rrushit të cilësisë së mirë është i ulët prej 26 centësh. Mirë do të ishte që të jetë çmimi për një kilogram të jetë së paku 40 centë ose deri në 50 centë, që do të ishte më e pranueshme që të rritet normal edhe leverdia e vreshtarëve për kultivimin e rrushit”, thotë ai.

Rritje të çmimit për kilogram rrushi kërkon edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, Habib Dina. Ai potencon se çmimi prej 26 centë nuk është real dhe se i dëmton vreshtarët.

Në anën tjetër, Ruzhdi Haxhijaha, pronar i verarisë “Bodrumi i Vjetër”, thotë se edhe këtë vit do të marrin kilogramin e rrushit për 26 centë përkundër vështirësive që u ka shkaktuar pandemia.

Haxhijaha thotë se përkundër vështirësive, verëtarët janë pajtuar që të mos e ulin çmimin për kilogram rrushi.

“Sa i përket çmimit ka spekulime që çmimi do të zbritet këtë vit në krahasim me vitet e tjera, por ne jemi marrë vesh Shoqata e Verëtarëve të Kosovës që edhe këtë vit përpos që kemi vështirësi të mëdha që është pandemia, që kemi vështirësi në plasimin në treg dhe që jemi në kohën kur qeveria ka shpallur masat e jashtëzakonshme për çështjen e COVID-it, kjo është një veprimtari e cila është më e goditur në krahasim me veprimtaritë e tjera që është veprimtaria e verëtarisë, gastronomisë dhe hotelerisë. Ne kemi vendosur që mos t’i ulim çmimet në krahasim me regjionin, tregjet e tjera ose shtetet e tjera që kanë bërë uljen e çmimit të rrushit. Kështu që u premtoj ose i informoj bujqit që sivjet do të jetë rrushi me çmimin e njëjtë siç ka qenë vitin e kaluar dhe nuk do të preket, nuk do të ulet”, thotë ai.

Lidhur me këtë çështje, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u shpreh se nuk mund të ndërhyjnë pasi që është çështje e tregut të lirë, mirëpo theksoi se po bëjnë përpjekje për të ndihmuar vreshtarët me grante dhe subvencione.

“Ne po bëjmë përpjekje maksimale që t’i përkrahim maksimalisht edhe në kategorinë e subvencioneve po edhe granteve”, thotë ministri, i cili ka dështuar t’i paguaj edhe disa prej subvencioneve të vitit të kaluar.

Vreshtarët e Komunës së Rahovecit kanë nisur vjeljen e rrushit me 7 shtator, ku edhe është organizuar ceremonia e festës së vjeljes së rrushit.

Reklama