23 vjet nga rënia e Shejh Myhedin Shehut, homazhe nderimi para shtatores së tij

Sot është nderuar figura kombëtare dhe prijësi fetar, Shejh Myhedin Shehu, i cili u vra 23 vite më parë.

Kryetari Smajl Latifi, me bashkëpunëtorë, miq e familjarë, ka bërë homazhe para shtatores së Shejhit Myhedin, duke e cilësuar lartë figurën e tij prej atdhetari.

“Sot, me bashkëluftëtarë, miq e familjarë, kemi bërë homazhe para Shtatores së Heroit të Kosovës pranë Teqesë së Madhe të Halvetive në Rahovec, që të nderojmë një figurë të ndritur të historisë së Rahovecit, prijësin fetar dhe atdhetarin, Shejh Myhedin Shehun, i cili u vra nga dora barbare e pushtuesit serb. Shejh Myhedin Shehu vjen nga një familje me traditë të gjatë e të pasur të besimit në Zot, familje e cila përfaqësonte me dinjitet, njëkohësisht, vlerat e larta shpirtërore dhe ato atdhetare, familje e cila ndër vite dhe në periudha të ndryshme ka dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare deri në lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar”, ka shkruar Latifi.

Latifi ka thënë Shejhi Myhedin Shehu është shembulli më i mirë i prijësit të devotshëm fetar e atdhetar, duke thënë se ai u pavdekësuar me veprat e tij.

“Ne sot nderojmë kujtimin dhe veprën e Shejh Myhedini i cili barti mbi supe këto vlera, duke vazhduar rrugën e kultivuar dhe mësuar prej të parëve. Shejh Myhedin Shehu është shembulli më i mirë i një prijësi fetar të devotshëm, i një atdhetari dhe mbrojtës i popullit deri në vetëflijim. I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e Shejh Myhedin Shehut, i cili u pavdekësua përgjithmonë në vendin ku shërbeu, duke lënë pas vetes dhimbje dhe mall të pashuar, por dhe nder, burrëri dhe krenari, si dhe kujtime të pashlyeshme në kujtesën e brezave”, ka shkruar Latifi.

 

Reklama