22 vjet nga masakra e Pastaselit, Latifi: Asnjë kriminel serb s’u dënua për këto krime të llahtarshme

Janë bërë 22 vjet nga masakra e Pastaselit, ku nga forcat serbe u ekzekutuan 106 shqiptarë nga ky fshat, por edhe nga fshatrat përreth.

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi e ka përkujtuar këtë ditë, duke thënë se sot e asaj dite asnjë kriminel serb nuk është dënuar për këto mizori.

Latifi shkruan:

Sot, në 22-vjetorin e përkujtimit të masakrës në Rudinë (Pastasel)

Eskadronet e vdekjes të ushtrisë e të sigurimit të Serbisë, më 31 mars 1999, rrethuan fshatin Pastasel dhe ekzekutuan mizorisht 106 shqiptarë të paarmatosur: burra, gra, pleq e fëmijë. Shumica ishin banorë të këtij fshati, por kishte edhe nga Guri i Kuq, Zatriqi, Polluzha, Kazniku, Kramoviku, Çifllaku, Senoci dhe nga komuna e Klinës, të cilët ishin të strehuar në fshat, të njëjtit pasi janë varrosur nga banorët e fshatit, forcat pushtuese serbe i kanë zhvarrosur, ndërsa një pjesë të tyre edhe i kanë djegur duke u munduar t’i zhdukin gjurmët e krimit të tyre.

Fatkeqësisht deri më sot, nuk u dënua krimi dhe nga kriminelët serb, madje, as nuk u hetua dikush për këto krime të llahtarshme.

Gjaku i derdhur në Rudinë dhe kujtimi për të rënët na bashkoi sot e do të na bashkojë përmot, të vetëdijshëm se, ne jemi të përkohshëm, kurse gjaku dhe kujtimi i tyre janë të përjetshëm.

T’i kujtojmë e nderojmë ata që ranë për Atdhe, që ne sot të jetojmë të lirë.

Lavdi!

Reklama