Haradinaj: Nëse s’e zgjedhim presidentin, këto zgjedhje do të jenë dështim

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për president, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse nga zgjedhjet e 14 shkurtit nuk arrihet të dilet me një emër për president të Kosovës, zgjedhjet do të jenë dështim.

AAK-ja ka hapur fushatën në Prizren. Fushata u hap në një tubim ku nuk u respektuan masat anti-COVID.

“Një ide themel vazhdon me qenë e jona se ne dëshirojmë të jetojmë në paqe me fqinjët tanë, por duke e mbrojte tonën. Prizreni është një qytet që na nderon. Qytet i vlerave kulturore, fetare e trashëgimisë. Prizreni ka sfidat e veta, i mungon hekurudha, lidhja me Tetovën, do të jemi bashkë për Prizrenin e Kosovën. Më 14 shkurt kur votojmë suksesi i këtyre nuk do varet vetëm nga zgjedhja e Kuvendit por edhe të presidentit. Nëse nuk e zgjedhim presidentin, këto zgjedhje do jenë dështim”, ka thënë ai në fjalimin e tij. “Jam unë kandidat i Aleancës për president, ai që e siguron përkrahjen e Qeverisë, kryeministrit që i ka vendi”.

Shqipe Kastrati, kandidate për deputete nga kjo parti, e cila është përjashtuar nga lista shkaku i dënimit që ka pasur, ka thënë se edhe pse u përjashtua do vazhdojë të kërkojë votën për AAK-në.

“Haradinaj do jetë një president që do bashkojë qytetarët. E ardhmja e Kosovës është në kërcënim nga Serbia, fqinji ynë po bëhet më agresiv nga dita në ditë. Vetëm një lider i fortë mund të qëndrojë pranë Vuciqit dhe Serbisë”, ka thënë ajo.

Reklama