SHBA: Jostabiliteti politik dhe korrupsioni pengojnë zhvillimin ekonomik në Kosovë

Jostabiliteti politik dhe ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni e sektori i përhapur joformal janë parë si pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për klimën investive në Kosovë.

Edhe pse DASH-i ka përmendur se Kosova ka regjistruar rritje ekonomike me mesatare prej katër për qind në dekadën e fundit, aty ka thënë se potenciali për investimet e huaja direkte në Kosovë ka dështuar për shkak të mosadresimit të disa çështjeve serioze.

“Integrimi ekonomik i limituar rajonal dhe botëror, jostabiliteti politik dhe ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni, furnizimi jo i qëndrueshëm me energji, sektor i madh jofromal, vështirësia në të drejtat e pronës dhe sundimi i paqartë i ligjit, përfshirë mungesën e madhe të zbatimit të kontratave”, janë parë si arsyet kyçe të ngecjes së ekonomisë së Kosovës.

Në këtë raport për vitin 2020 është theksuar se përkrahja ndërkombëtare financiare dhe remitencat e diasporës janë bazat e rritjes ekonomike në Kosovë.

Raporti thekson po ashtu edhe masat ekonomike të ndërmarra në kohën e pandemisë, e që ende s’janë finalizuar. Ato është thënë se janë të përkohshme dhe janë të vendosura me fokus vetëm në ruajtjen e vendeve të punës. Këto s’do të prekin sektorin e investimeve.

DASH-i ka përmendur se sektori i drejtësisë ka ngelur në implementim, edhe pse ligjet janë në bazë të standardeve ndërkombëtare. Si vend për të bërë biznes, Kosova është e renditur si e 57-a nga 190 shtetet e monitoruara dhe ishte në mesin e top 20 ekonomive më të përmirësuara në botë.

Dobësitë në sistemin gjyqësor dhe vështirësitë e lidhura me pronat, si pasojë edhe e luftës me Serbinë, e bëjnë të vështirë ambientin ekonomik në Kosovë, sipas DASH-it. Aty theksohet po ashtu se Kosova ka kornizë të mirë ligjore për mbrojtjen e pronës intelektuale, por implementimi i saj ka ngelur prapa.

Raporti vë në pah edhe “ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë e periudhat e zgjatura të qeverive në detyrë”.

Sipas të dhënave të publikuara, 25.7 për qind e kosovarëve me të drejtë pune më 2019 ishin të papunë. Kjo është parë si shqetësimi më i madh. Niveli i papunësisë te gratë është në masë më i lartë.

Shumë institucione ndërkombëtare kanë paraparë rënie ekonomike rreth pesë për qind në Kosovë.

Reklama