1 Maji edhe sivjet i gjen punëtorët në Kosovë në gjendje aspak të mirë

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, thotë se problemet kryesore të punëtorëve janë moszbatim i ligjit të punës, kushtet jo të mira të punës dhe paga minimale e ulët.

Mungesa e kontratave të punës, mosrespektimi i tyre, puna me orar të tejzgjatur, pagat e vogla dhe siguria jo e duhur në punë, janë problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë mijëra punëtorë gjithandej vendit. Se punëtorët ballafaqohen me këto probleme çdo ditë e prej vitesh, e pohon në një prononcim për Radio Kosovën edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, i cili thotë se punëtorët kosovarë 1 Maji po i gjen me shkelje të shumta të të drejtave të tyre.

“Punëtorët 1 Maji po i gjen të diskriminuar. Ende nuk ka asnjë hap pozitiv për realizimin e të drejtave të punëtorëve, sigurinë në punë, por edhe sigurimin shëndetësorë, edhe pse BSPK është angazhuar në maksimum që madje një hap pozitiv të hidhet për të mirën e punëtorëve duke e ngritur pagën minimale apo duke e respektuar marrëveshjen kolektive”, tha ai për televizionin publik.

Të punësuarit në sektorin privat janë më të diskriminuarit, thekson Ajdini.

Sipas tij, gratë punëtore janë më të diskriminuara dhe shpesh ndodh të largohen nga puna kur punëdhënësit kuptojnë se ato janë shtatzëna.

Për kreun e BSPK-së, ngritja e pagës minimale është mëse e nevojshme.

“Sa i përket pagës minimale, kryeministri i tanishëm ka premtuar që kjo të jetë 250 euro. Unë besoj se kjo duhet të realizohet, deri në fund të vitit, edhe pse ne kemi kërkuar që në bazë të standardit jetësor paga minimale të jetë 350 euro”, tha Ajdini.

Dita e Punës – 1 Maji, shënohet që nga viti 1866 dhe ky manifestim lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, të cilët kërkonin më shumë të drejta. Në shënim të kësaj date, BSPK, sot, nga ora 13:00 do mbajë konferencë për media ku do të paraqes problemet me të cilat përballen punëtorët dhe kërkesat sindikale për këtë vit.

Reklama