​Kancelari Scholz: Rusia ka pësuar humbje më të mëdha se në luftën 10-vjeçare në Afganistan

Portali T-online ka publikuar një intervistë që ka zhvilluar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, lidhur me situatën në Ukrainë, si dhe bisedën që ai ka zhvilluar me presidentin Putin një ditë më parë.

Kancelari gjerman, në këtë intervistë, nënvizoi se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në qëndrimin e liderit të Kremlinit, me të cilin foli për më shumë se një orë.

Për shkak të idesë së çmendur të Putinit për zgjerimin e perandorisë ruse, si Rusia ashtu edhe e gjithë bota, po paguajnë një çmim të lartë”, tha kancelari Scholz, duke iu referuar pasojave në tregun e grurit.

Putini duhet të kuptojë se e vetmja rrugëdalje është një marrëveshje me Ukrainën, ndërsa NATO-ja, jo vetëm që nuk është tërhequr, por është forcuar në krahun lindor dhe Aleanca do të bëhet edhe më e fortë me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë”, theksoi kancelari.

Zoti Scholz nënvizoi se Rusia tashmë ka pësuar humbje të mëdha ushtarake në Ukrainë, më të mëdha se në luftën dhjetëvjeçare në Afganistan.